Industria përpunuese në recesion të zgjatur, hyn në vitin e katërt të rënies, bashkë me bujqësinë
Industria përpunuese ra me 1.97% në tremujorin e dytë 2026, ndërsa edhe bujqësia vijon ciklin e zgjatur negativ.
Sektori i industrisë në tërësi u rikuperua lehtë në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke shënuar rritje me 0.47%, pas rënies së vazhdueshme që prej tremujorit të fundit të vitit 2024. Megjithatë, dega kryesore e tij, industria përpunuese, vijon një periudhë të zgjatur tkurrjeje.
Industria përpunuese, e përfaqësuar kryesisht nga fabrikat e përpunimit dhe që ishte një nga sektorët që udhëhoqi rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, shënoi rënie vjetore me 1.97% në tremujorin e dytë të vitit 2026. Sektori ka hyrë në vitin e katërt të rënies, nën ndikimin e zhvlerësimit të euros, kufizimit të kërkesës nga jashtë dhe rritjes së kostove në tregun e brendshëm.
Industria përpunuese zë rreth 65% të sektorit
Rënia e industrisë përpunuese merr rëndësi të veçantë për shkak të peshës së saj në aktivitetin industrial. Industria në tërësi kontribuoi me rreth 10% në PBB gjatë vitit 2025, ndërsa industria përpunuese përbënte rreth 65% të sektorit.
Florian Zekja, Kryetari i Shoqatës Manifaktura Shqiptare, tha se sigurimi i lëndëve të para, energjisë, pajisjeve mjekësore, produkteve industriale dhe zinxhirëve të furnizimit duhet të trajtohet si një prioritet kombëtar. Sipas tij, pavarësia ekonomike, qoftë edhe e pjesshme, është një domosdoshmëri strategjike, pasi një ekonomi që mbështetet pothuajse vetëm te shërbimet, si turizmi apo ndërtimi, pa një bazë të fortë prodhuese, është më e cenueshme ndaj krizave.
Të dhënat mbi PBB-në tregojnë se industria përpunuese pati një rikuperim të fortë pas goditjes së vitit 2020, me rritje mesatare prej rreth 12% në vitin 2021 dhe 5.5% në vitin 2022. Pas kësaj periudhe, ritmet e zgjerimit u zbehën dhe sektori kaloi në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2025, industria përpunuese u tkurr me 1.4%, ndërsa tendenca rënëse vijoi edhe në dy tremujorët e parë të vitit 2026.
Rritja e kostove dhe mungesa e punonjësve godasin fabrikat
Sipas Zekjes, sektorët tradicionalë të industrisë, përfshirë tekstilet dhe fasonerinë, janë përballur me rritjen e kostove të punës, mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrencën më të fortë nga tregjet e tjera.
Vetëm industria përpunuese, duke përjashtuar industrinë nxjerrëse, si dhe energjinë elektrike, gazin, ujin dhe trajtimin e mbetjeve, kishte rreth 95 mijë të punësuar në vitin 2024, viti i fundit për të cilin raportohen të dhënat. Kjo përfaqësonte rreth 17% të totalit të punësimit të gjeneruar nga bizneset.
Bujqësia vijon ciklin e rënies
Ndryshe nga industria, dobësimi i bujqësisë ka nisur më herët dhe ka qenë më i qëndrueshëm. Pas një rritjeje të lehtë në vitet 2019 dhe 2020, sektori hyri në një cikël negativ, me tkurrje të vazhdueshme pas vitit 2021. Rënia më e fortë u regjistrua në vitin 2022, kur aktiviteti bujqësor u tkurr me rreth 4.8%, ndërsa edhe në vitet pasuese sektori vijoi të regjistronte norma negative.
Dobësimi i bujqësisë lidhet me një kombinim faktorësh strukturorë dhe afatshkurtër. Sektori vijon të përballet me rënien dhe plakjen e popullsisë në zonat rurale, mungesën e subvencioneve dhe investimeve të mjaftueshme në teknologji dhe mekanizim, si dhe me vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore.
Rritja e kostove të inputeve bujqësore, përfshirë naftën, plehrat dhe ushqimet për blegtorinë, ka shtuar presionin mbi prodhuesit, ndërsa ndryshimet klimatike dhe kushtet e pafavorshme të motit po ndikojnë në prodhimin e disa kulturave. Faktorë të tjerë janë konkurrenca nga importet dhe vështirësitë e fermerëve për të siguruar dalje të qëndrueshme në treg.
Bujqësia humbet peshë në ekonomi
Pesha e bujqësisë në PBB ka vijuar rënien graduale nga niveli prej rreth 15.4% një vit më parë, e ndikuar nga sfidat e motit, kostot e larta të prodhimit, rënia e eksporteve bujqësore në disa periudha dhe konkurrenca në treg.
Pavarësisht tkurrjes së prodhimit, bujqësia vazhdon të jetë sektori me një peshë të lartë të punësimit informal dhe tradicional në vend, duke siguruar jetesën për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rurale dhe duke përfshirë historikisht mbi 35% të totalit të të punësuarve.
Ekonomia rritet 3.61%, por sektorët prodhues mbeten nën presion
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.61% në tremujorin e dytë të vitit 2026. Sipas të dhënave, rreth 70% e ndikimit në këtë rritje erdhi nga administrata publike dhe taksat e subvencionet neto, ndërsa sektorët realë të ekonomisë, me përjashtim të tregtisë që po nxitet nga turizmi, vijojnë të përballen me një periudhë të zgjatur dobësimi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)